Vendimi për dinarin serb, Kurti: Periudha e tranzicionit nuk duhet të keqinterpretohet si sulm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një deklarim të tij pas reagimeve të ndërkombëtarëve në lidhje me rregulloren e re të BQK-së, ka bërë thirrje që të gjithë ata që kanë “investuar në prosperitetin e vendit tonë të mundësojnë një tranzicion të qetë të masave demokratike”.
Kurti ka thënë se e kupton se çështja ka mundur të komunikohej më qartë për t’i evituar konfuzionet dhe ka thënë se e di se duhet një periudhë tranzicioni. Kurti ka thënë se periudha e tranzicionit nuk duhet të keqinterpretohet si sulm.
“Ne e kuptojmë se mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë, për të shmangur konfuzion. Megjithëse rregullorja hyri në fuqi më 1 shkurt, e kuptojmë se një periudhë tranzicioni është e nevojshme. Gjatë këtij muaji, do të sigurohemi që të japim të gjitha informacionet dhe të gjithë ndihmën e nevojshme që ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur.
Tash e tutje, zotohemi po ashtu që të promovojmë fushata të komunikimit që adresojnë këto çështje me ndjeshmërinë që e meritojnë. Është mendimi i të gjithëve që e duan Kosovën, që jemi në progres dhe ka progres për t’u realizuar.
Në këtë rrugëtim, veprimet tona gjykohen mbi dy baza: (1) qëllimet dhe (2) shkronja e ligjit. Një veprim që synon të forcojë demokracinë duke zbatuar ligjin, duhet të interpretohet për atë çka është. Ndërsa vendi ynë është duke u rritur në fuqinë e vet demokratike, atij me gjasë do t’i duhen ca përshtatje. Për palët e shumta që janë fuqishëm të investuara në prosperitetin e vendit tonë, të njëjtën e inkurajoj: përshtatjet le të ndodhin, që të arrijmë hapin tjetër, drejt të cilit të gjithë punojmë me zell”, ka thënë Kurti.