Ndërron jetë në burg figura opozitare ruse Alexey Navalny
Shërbimi rus i burgjeve njoftoi se figura opozitare Alexey Navalny ka vdekur në burgun ku po vuante dënimin, transmeton Anadolu.
Shërbimi Federal i Burgjeve tha në një deklaratë se Navalny humbi vetëdijen pas një shëtitjeje në Rajonin Autonom Arktik Yamalo-Nenets, ku ndodhet burgu.
Reparti ka thirrur menjëherë ambulancën dhe janë marrë të gjitha masat e nevojshme për reanimim, por pa rezultat, thuhet në njoftim.
“Mjekët e urgjencës kanë konstatuar vdekjen e të dënuarit”, tha shërbimi i burgjeve.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se mjekët duhet të përcaktojnë shkakun e vdekjes së Navalnyt.
“Shërbimi Federal i Burgjeve tani po ndërmerr hapat që duhet të ndërmerren në një situatë të tillë sipas rregullave që ekzistojnë. Nuk kam asgjë për të thënë më shumë”, vuri në dukje ai.
E përditshmja ruse Kommersant, duke cituar Peskovin, tha se presidenti rus Vladimir Putin është informuar për vdekjen e politikanit.
Në një deklaratë tjetër, Shërbimi Federal i Burgjeve tha se po dërgon një trup inspektues në burg për të zbuluar të gjitha rrethanat e vdekjes së Navalnyt.
Nga ana e tij, Komiteti Hetues i Rusisë njoftoi se do të kryejë hetim më vete për të gjitha rrethanat e vdekjes së politikanit rus.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, nga ana e saj, tha se “reagimi i menjëhershëm i liderëve të NATO-s ndaj vdekjes së Navalnyt në formën e akuzave të drejtpërdrejta kundër Rusisë është vetëzbulues”.
“Ende nuk ka ekspertizë mjeko-ligjore, por përfundimet e Perëndimit tashmë janë gati”, ka shkruar ajo në Telegram.
Navalny u arrestua në janar 2021 pas një qëndrimi në spital në Gjermani, ku po trajtohej për helmim. Vendet perëndimore dhe vetë Navalny fajësuan Rusinë për helmimin, një pretendim që Kremlini e mohon.
Në gusht, ai u dënua me 19 vjet burg me akuza për ekstremizëm dhe krime të tjera. Ai po vuante tashmë një dënim prej 11,5 vjetësh me akuza për mashtrim.