Rajoni

Escobar: Për anëtarësim në KiE Kosova ka edhe dy kushte

Shpërndaje

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Kosovës i kanë mbetur edhe dy kushte.

“Tani, janë dy kushte të tjera që i kishte përmendur Këshilli i Evropës dhe që po i kërkojnë disa vende evropiane. Njëri është… [ka të bëjë] me disa veprime për shpronësimet që po bëhen në veri. Dhe, tjetri është Asociacioni”, ka theksuar Escobar, në një intervistë për REL-in.

I Pyetur nëse SHBA-ja do të lobojë për Kosovën për këtë anëtarësim, ai ka thënë: “Mendoj se jemi duke i vlerësuar të gjitha opsionet. Neve ende na duhet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe]. Ai është kyç”.

Escobar më herët ka mirëpritur urdhrin që Qeveria e Kosovës i ka dhënë Agjencisë Kadastrale, për ekzekutim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit 24 hektarë tokë duhet t’i barten Manastirit të Deçanit.

Këtë urdhër Qeveria e ka dhënë në mbledhjen e mbajtur të mërkurën. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se këtë vendim e ka marrë për ta hequr si kusht për pranimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka qenë para dy opsioneve: Të plotësojë këtë kusht dhe që Kosova të pranohet në Këshill të Evropës apo të ngelë pa u anëtarësuar.

Kreshnik Ahmeti, zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se ky kriter ka qenë i vetmi që i ka ngelur Kosovës që nga janari. Sipas tij, as në kabinetin qeveritar nuk ka pasur konsensus për këtë vendim.