Udhëheqësit e BE-së do të mblidhen për të diskutuar Lindjen e Mesme dhe Ukrainën
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) do të mblidhen të enjten për një samit dyditor për të diskutuar disa çështje, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën në luftën me Rusinë dhe situatën e fundit në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.
Deri më tani, blloku dhe shtetet e tij anëtare kanë vënë në dispozicion mbi 138 miliardë euro në mbështetje të Ukrainës dhe ka shprehur angazhimin për të vazhduar ofrimin e mbështetjes politike, financiare, ekonomike, humanitare, ushtarake dhe diplomatike për “për aq kohë sa duhet”.
Vendet anëtare gjithashtu kanë bërë thirrje për akses të vazhdueshëm, të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar humanitar dhe që ndihma të arrijë te nevojtarët në Gaza dhe kanë theksuar nevojën për të bashkëpunuar me partnerët në rajon për të shmangur përshkallëzimin rajonal.
Sipas një letre ftese të dërguar nga Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, udhëheqësit do të diskutojnë gjithashtu sigurinë dhe mbrojtjen, zgjerimin, marrëdhëniet e jashtme, migrimin, bujqësinë dhe Semestrin Evropian – ushtrimin vjetor të BE-së për të koordinuar politikat ekonomike, fiskale, të punës dhe sociale.
Lidhur me zgjerimin, blloku do të diskutojë zhvillimet e fundit në Bosnjë dhe Hercegovinë, Ukrainë dhe Moldavi.
Në dhjetor 2023, liderët e BE-së miratuan fillimin e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë, me kusht që vendet të kenë përmbushur kërkesat. Ata gjithashtu treguan vullnetin e tyre për të filluar negociatat e pranimit me Bosnjë dhe Hercegovinën.
Në lidhje me migracionin, vendet do të përpiqen të trajtojnë shkaqet rrënjësore të migrimit dhe nevojën për rritjen e veprimeve të jashtme dhe partneritetit me vendet e origjinës dhe tranzitit.
Gjithashtu, në margjinat e takimit do të mbahet edhe një Samit i Euros.
Udhëheqësit do të kenë gjithashtu një drekë me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres gjatë samitit.