Bota

Rusi, rritet në 144 numri i viktimave nga sulmi terrorist në Moskë

Shpërndaje

Është rritur në 144 numri i personave që humbën jetën nga sulmi terrorist në kryeqytetin e Rusisë, Moskë, raporton Anadolu.

Ministri rus i Shëndetësisë, Mikhail Murashko në një deklaratë për gazetarët tha se vazhdon trajtimi i të plagosurve të sulmit terrorist në sallën e koncerteve “Crocus City Hall” më 22 mars.

“Fatkeqësisht humbi jetën një prej atyre që ishte jashtëzakonisht rëndë. Mjekët bënë çdo gjë të mundshme”, tha Murashko duke njoftuar se edhe një person prej të plagosurve ka humbur jetën.

Ai theksoi se vazhdojnë trajtimin 69 persona prej të cilëve 17 në gjendje të rëndë.

– Sulmi terrorist në sallën e koncerteve në Moskë

Mbrëmjen e 22 marsit persona të armatosur kryen sulm terrorist në sallën e koncerteve “Crocus City Hall” në Moskë.

Në pamjet e ndara në mediat sociale, shihej se agresorët hapnin zjarr me armë automatike pa dallim ndaj të pranishmëve në sallë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin njoftoi arrestimin e 11 personave, përfshirë edhe 4 terroristët që kryen sulmin. Ministria ruse e Emergjencave dje njoftoi se punimet në sallë kanë përfunduar.