SHBA “thellësisht e shqetësuar” nga sulmi izraelit që vrau punonjësit e huaj humanitarë në Gaza
Shtëpia e Bardhë ka reaguar ndaj vrasjes së punonjësve të huaj të organizatës humanitare “World Central Kitchen” (WCK) me bazë në SHBA nga Izraeli në Gaza, transmeton Anadolu.
Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Adrienne Watson lidhur me sulmin në një deklaratë nga llogaria e saj në X tha: “Jemi thellësisht të pikëlluar dhe të shqetësuar nga sulmi që vrau punonjësit humanitarë të WCK-së në Gaza. Punonjësit e ndihmave humanitare duhet të mbrohen pasi ata ofrojnë ndihma që nevojiten dëshpërimisht dhe ne i bëjmë thirrje Izraelit të hetojë me shpejtësi atë që ndodhi”.
Në sulmin që Izraeli kreu dje në rajonin Deir Al-Balah në Gaza humbën jetën punonjësit e huaj të organizatës ndërkombëtare të ndihmës dhe një palestinez.
Në sulm humbën jetën 4 punonjës të huaj të organizatës ndërkombëtare humanitare “World Central Kitchen” (WCK). Në deklaratën nga Zyra për media e qeverisë në Gaza thuhet se në sulmin e Izraelit, krahas punonjësve të huaj një gruaje australiane, dy personave një nga Britania dhe një nga Polonia si dhe një personi të pa identifikuar humbi jetën edhe një palestinez.
Në një deklaratë nga WCK bëhet e ditur se kanë marrë lajmin se punonjësit që morën pjesë në punimet e ndihmës për ushqim në Gaza, janë vrarë në sulmin e ushtrisë izraelite. “Kjo është tragjedi. Punonjësit e ndihmës humanitare dhe civilët nuk duhet kurrë të shënjestrohen”, thuhet në deklaratë.
Ushtria izraelite në deklaratën e saj tha se “Ushtria po zhvillon hetim gjithëpërfshirës në nivelin më të lartë për të kuptuar kushtet e kësaj ngjarjeje tragjike”.