SHBA kundërshton anëtarësimin e Palestinës në OKB
SHBA-ja ka kundërshtuar përpjekjen e Palestinës për t’u bërë një shtet anëtar i plotë i Kombeve të Bashkuara (OKB), duke theksuar se një shtet palestinez duhet të krijohet përmes negociatave dhe jo në OKB, transmeton Anadolu.
“Ne e kemi bërë gjithmonë të qartë se ne mbështesim krijimin e një shteti të pavarur palestinez”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattew Miller, duke shtuar se sekretari i Shtetit, Antony Blinken, është angazhuar në “diplomaci shumë intensive” gjatë muajve të fundit për të krijuar një shtet palestinez me garanci sigurie për Izraelin.
“Kjo është diçka që duhet bërë përmes negociatave të drejtpërdrejta përmes palëve, diçka që ne po e ndjekim në këtë moment dhe jo OKB-ja”, tha Miller.
Palestina i dërgoi një letër sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, duke kërkuar rishikimin e kërkesës së saj për anëtarësim.
Palestina paraqiti një kërkesë për t’u bërë anëtare e plotë e OKB-së edhe në vitin 2011, por nuk arriti të sigurojë mbështetjen e kërkuar nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit.
Megjithatë, çështja më pas shkoi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku u mbështet nga më shumë se dy të tretat e anëtarëve, gjë që e lejoi të fitojë statusin e shtetit vëzhgues në vitin 2012.