Kush ishte Dick Marty, raporti i të cilit çoi në themelimin e Gjykatës së Posaçme të Kosovës?!

Shpërndaje

Sot në moshën 78 vjeçare vdiq ish-senatori dhe prokurori zviceran, Dick Marty.

Gjykata Speciale në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime fillimisht ishin përmendur në një raport të Këshillit të Evropës, që ishte hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty. Raporti i hapi rrugën themelimit të Gjykatës Speciales përmes votimit në Kuvendin e Kosovës më 2015.

Raporti i vitit 2010, i hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty, dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykatë Speciale, ka nisur tashmë procesi ndaj disa ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Marty para gati një viti njoftoi se po kërcënohej nga shërbimi sekret serb, të cilët kanë provuar ta vrasin e për një gjë të tillë t’i lënë fajin Kosovës. Ai kishte deklaruar se kërcënimet për vrasjen ndaj tij kishin për qëllim fajësimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçin.

Në emisionin “Mise au Point”, në Radiotelevizionin e Zvicrës tek kanali “RTS 1”, Marty kishte thënë se ishte habitur se nuk ishin shqiptarët ata që planifikuan vrasjen e tij, meqë supozohej se ata do kishin një arsye, por në fakt ishin serbët që ia donin vdekjen.

Ishte bërë e ditur se që nga dhjetori 2020, Dick Marty ishte vendosur nën mbrojtje shumë të lartë policore. Ai kërcënohej me vdekje nga elementë radikalë të shërbimeve të inteligjencës serbe.

Dick Marty ka lindur më 7 janar 1945.