​Rama prezanton asistentin virtual të e-Albania: Në 2024 do të jetë me zë e figurë

Shpërndaje

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama prezantoi në ambientet e Kryeministrisë sot “Shërbëtorin Publik të Inteligjencës Artificiale”, i cili do të ndihmojë qytetarët në aplikimet e tyre në e-Albania.

Rama tha se “shërbëtori publik” do të jetë në dispozicion në çdo orë të ditës dhe të natës, për marrjen e shërbimeve në e-Albania dhe s’ka më nevojë për asnjë ndihmë tjetër për këdo që aplikon për një shërbim.

Kreu i qeverisë theksoi se brenda vitit 2024 Asistenti Virtual do të shfaqet dhe me zë dhe figurë dhe do të jetë ai që do të marrë shërbimet publike për qytetarët, duke bërë të gjitha veprimet që sot bëhen mekanikisht për të marrë një dokument nga e-Albania.

“Ambicia është që asistentin publik ta shtrijmë dhe në platformën e bashkëqeverisjes. Asistenti që sot hyn në marrëdhënie me qytetarët përmes ndërveprimit me shkrim, po përgatitet që pas një periudhe njohjeje me ta të hyjë në ndërveprim edhe me zë dhe figurë dhe madje të mos jetë thjesht ndihmësi që i drejton ata në aplikim, por të jetë ai që e merr shërbimin për ta. Nuk besoj të jetë e largët dita, kur qytetari të kërkojë shërbimin, të gjitha veprimet që i bën sot qytetari t’i bëjë vetë shërbëtori. Qytetari do të marrë dokumentin pa asnjë ndërveprim fizik nga ana e tij”, tha Rama.