RajoniTop Lajme

Arrestohet një 34-vjeçar në Krujë, policia publikon pamje kur i dyshuari vendos lëndë eksplozive pranë një mobilierie

Shpërndaje

Policia e shtetit ka arrestuar një 33-vjeçar nga Kruja, i cili 4 ditë më parë, dyshohet se vuri lëndë eksplozive në ambientet e jashtme të mobilierisë së një 48-vjeçari, në fshatin Rrashbull.

Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se ky shtetas, i dënuar më parë për krime në fushën e narkotikëve, është autor dhe i 2 shpërthimeve të tjera në këtë biznes, të kryera më datat 18.11.2023 dhe 07.03.2024.

Nga shpërthimet ka patur vetëm dëme të pjesshme materiale, transmeton ALBAZONE MEDIA.

Në njoftim, thuhet se policia ka sekuestruar 2 automjete dhe 2 celularë të 33-vjeçarit, si dhe maska dhe veshje të dyshuara të përdorura gjatë krimeve.

“Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për të zbardhur 3 shpërthime të lëndëve eksplozive, të kryera gjatë 2 viteve të fundit, në biznesin (mobilieri) e shtetasit A. A., 48 vjeç, në fshatin Rrashbull, strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Durrës mundësuan identifikimin, lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të këtyre rasteve, shtetasit A. Q., 33 vjeç, banues në fshatin Borizanë”, thuhet në njoftim.

Nga këto veprime dyshohet se më datat 18.11.2023, 07.03.2024 dhe 03.04.2024, shtetasi A. Q. ka vënë lëndë eksplozive (mina artizanale), në ambientet e jashtme të mobilierisë së shtetasit A. A.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.