Scholz: Shqipëria së shpejti anëtare e BE-së

Shpërndaje

Marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për refugjatët e ka komentuar së fundmi edhe kancelari gjerman Olaf Scholz.

“Është një çështje mes dy qeverive, por duhet pasur parasysh edhe se Tirana, sipas nesh, së shpejti do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian”, u shpreh kancelari gjerman në margjinat e kongresit të socialistëve të BE-së në Malaga.

“Ne po flasim se si t’i zgjidhim sfidat dhe problemet së bashku, duam të krijojmë një mekanizëm solidariteti”, shtoi ai.

Sa i përket modelit të ndjekur, Scholz tha se çdo hap do të ndiqet me kujdes. Ajo që ka rëndësi, shtoi ai, që “sfidat të mos i kapërceni të vetëm.”

“Bashkëpunoni me vendet jashtë BE-së kundër emigrantëve të paligjshëm. Duhet të reduktohet imigracioni i parregullt. Për këtë do të ketë bashkëpunim të ngushtë me vendet jashtë BE-së”,tha kancelari gjerman, transmetojnë mediat në Shqipëri.

Kujtojmë se marrëveshja Itali-Shqipëri parashikon krijimin e dy qendrave nën juridiksionin italian në territorin e vendit tonë: e para do të vendoset në portin e Shëngjinit dhe do të jetë pikë pritjeje; ndërsa e dyta do të jetë një strukturë shumë e ngjashme me Qendrën Mbajtëse të Riatdhesimit (CPR), e cila do të jetë e vendosur në Gjadër.