Kurti: Në 85-vjetorin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste kujtojmë dëshmorët shqiptarë
Kryeministri Albin Kurti ka përmendur 7 prillin e vitit 1939 , dita e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka treguar ecurin se si ndodhi pushtimi i shtetit shqiptar.
“Në ora 05:30 të mëngjesit të 7 prillit të vitit 1939, plot 22,000 ushtarë italianë me anije luftarake dhe transportuese, me avionë dhe me tankse e sulmuan territorin e Mbretërisë së Shqipërisë në katër portet e saj kryesore: në Vlorë, Shëngjin, Durrës dhe Sarandë. E vetmja rezistencë e shënueshme ishte ajo e bërë në Durrës nga xhandarmëria shqiptare e mbështetur nga vullnetarë, të komanduar nga Abaz Kupi dhe oficeri Mujo Ulqinaku”.
“Mbreti Zogu nuk organizoi rezistencë dhe u largua nga Shqipëria. Plani për pushtimin e Shqipërisë ishte përgatitur një vit më parë. Rrethanat dhe zhvillimet që çuan deri te ky pushtim, nga dominimi politik dhe ekonomik i shtetit dhe kapitalit të Italisë në Shqipëri e deri te ndikimi i oficerëve italianë mbi ushtrinë shqiptare, janë sqaruar deri në detaje nga historianët shqiptarë dhe ndërkombëtarë”
“Ajo që përkujtojmë ne sot në 85-vjetorin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, janë viktimat civile dhe dëshmorët shqiptarë të rënë në rezistencë ndaj pushtimit e në luftën antifashiste. Dekadat kanë kaluar dhe teksa vitet ecin do të bëhen shekuj nga këto ngjarje, por rreshtimi politik i shqiptarëve, i Shqipërisë dhe i Kosovës, duhet ruajtur gjithmonë në anën e drejtë të historisë, për çka busulla më e sigurtë është ajo gjilpëra e së cilës e tregon lirinë!”, ka thënë Kurti.