MaqedoniTop Lajme

Prokuroria nisi ekspertizën në Sallën Universale, hetohet nëse bëhet fjalë për gabim njerëzor apo rast tragjik

Shpërndaje

Pas zjarrit të djeshëm në Sallën Universale, tre punëtorë janë ndaluar nën dyshim se kanë punuar në momentin kur ka filluar zjarri. Prokuroria publike doli në terren për të vërtetuar arsyet për shkak të cilave është shkaktuar zjarri. Thonë se pasi që lokacioni është siguruar si dhe janë siguruar kushte, tashmë ka filluar hetimi në objekt.

“Lokacioni do të kontrollohet në mënyrë të detajuar që të sigurohen të gjithë provat e patjetërsueshme për konfirmimin e arsyes për shkaktimin e zjarrit. Një ekspert i mjekësisë ligjore do të deklarohet nëse zjarri është shkaktuar eventualisht nga faktori njeri apo bëhet fjalë për rast tragjik”, thonë nga Prokuroria.

Dje edhe Inspektorati i Punës ka kryer kontroll për punën e kompanive të angazhuara për rinovimin e objektit, por për shkak se ende zgjat faza e mbledhjes së provave dhe nuk është konfirmuar se zjarri është shkaktuar nga faktori njeri, dje në stacionin policor janë marrë deklarata nga tre personat e ndaluar.

Nga VMRO-DPMNE dhe LSDM me akuza të ndërsjella për gjendjen në Sallën Universale.

“Më alarmante është që LSD në vend që t’i përgjigjet pyetjeve thelbësore, ngrit pluhur duke menduar se i mbulon gjurmët. Kovaçevski dhe Bisera Kostadnovska duhet t’i përgjigjen tre pyetjeve: Cila kompani është kryerëse e aktiviteteve ndërtimore dhe nëse e njëjta është e afërt me krerët e LSD-së? Çfarë materialesh janë vendosur në Sallën Universale dhe nëse ato janë në përputhje me të gjithë standardet? A është rast i njëjtë si me Spitalin modularë në Tetovë?”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.

Nga LSDM me kundër-akuzë. Thonë se DPMNE-ja është ajo që e ka lënë Sallën Universale që të shkatërrohet.

“DPMNE e la Sallën Universale që të shkatërrohet, edhe pse kishte filluar procesi i rinovimit nga ana e pushtetit paraprak lokal të LSDM-së. Objektin e kultit dhe simbolin e Shkupit, e lanë dy vjet në harresë të kohës, të shkatërrohet edhe nga brenda edhe nga jashtë, si dhe dhënia e rinovimit të Sallës Universale Ministrisë së kulturës ishte problem për ta. Është edhe një premtim i parealizuar i pushtetit të paaftë lokal të DPMNE-së dhe kryetares së Shkupit”, thonë nga LSDM.

Në zjarrin e djeshëm në Sallën Universale dy gra janë ankuar se kanë problem me frymëmarrjen pasi që kanë thithur tym, pas çka janë dërguar në Toksikologji, por nuk kanë pasoja më serioze.