Gërvalla: Serbia e mori përgjigjen sot dhe shpresojmë që kjo t’u bëhet mësim për të ardhmen
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla , u shpreh e lumtur pasi Asambleja Parlamentare votoi pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Emocioni i vetëm që kam është për momentin gëzimi dhe falënderimi për të gjithë ata që kanë luftuar shumë edhe në këtë seancë të sotme për të arritur votat e nevojshme për rekomandimin ministrave të jashtëm për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, prandaj ne shpresojmë që pas këtij hapi të rëndësishëm dhe bisedave të rëndësishme dhe të shumta që do t’i kemi gjatë ditëve dhe javëve në vijim, majin të mund ta kurorëzojmë me pranimin si anëtare e plotë Kosovën në Këshillin e Evropës , por deri atëherë kemi dhe shumë punë për të bërë”.
“Sot është një ditë gëzimi, është dita që të gjithë së bashku të gëzohemi. Ju uroj të gjithëve nga zemra, dhe shpresojmë që Kosova të forcohet edhe më tej në arenën ndërkombëtare, me sukseset e saj që i arrijmë në vend, me strategjinë dhe me rrugën shumë konsekuente drejt më shumë demokraci, më shumë ligj, më shumë shtet ligjor dhe më shumë të drejta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”.
Gërvalla tutje theksoi se kjo është një fitore e Evropës, e shteteve demokratike, e bashkësisë së shteteve demokratike të cilët sot konfirmuan që Kosova është pjesë e tyre.
Ndërkaq lidhur me qëndrimin e shtetit serb në këtë seancë, ajo tha se nuk kanë pritur sjellje tjetër nga Serbia.
“Ata e morën përgjigjen e tyre sot dhe ne shpresojmë që kjo t’u bëhet mësim për të ardhmen, sepse Kosova e ka vendin në mesin e shteteve të përparuara dhe demokratike dhe nuk do të ketë asnjë fqinj mundësi që të na ndalë në këtë rrugë. Kemi fituar me 131 vota me 29, pra është shumë bindëse vota që konfirmon progresin e Kosovës”, përfundoi Gërvalla.