Kryeministri Kurti: Me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë

Shpërndaje

Kryeministri Albin Kurti, e ka mirëpritur vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila i dha dritë jeshile për një hap më afër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

Ai shprehet optimist që edhe në fazën finale, Kosova do ketë fatin dhe pranimi i saj në Këshillin e Evropës të përmbyllet me sukses, transmeton klankosova.tv.

”Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë.

Nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut.