Reagon Federata e Xhudos: Besojmë në pafajësinë e Akil Gjakovës
Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për dhunë në familje. Ndërsa, Federata e Xhudos e Kosovës njoftoi më vonë se xhudisti ndodhet jashtë vendit dhe se do të “dorëzohet sapo të kthehet” në vend, përcjell Reporteri.net.
Federata e Xhudos e Kosovës përmes një reagimi të martën ka thënë se beson në pafajësinë e xhudistit Akil Gjakova, pas akuzave për “dhunë në familje”.
REAGIM ZYRTAR:
Federata e Xhudos e Kosovës dënon fuqishëm çdo formë dhune dhe jemi thellësisht të shqetësuar për ngjarjet e fundit në vendin tonë.
Ne e kemi për prioritet të mbrojmë dhe të promovojmë barazinë gjinore, e cila është e vërtetuar me arritjet kulminante dhe përkrahjen e shkëlqyeshme të sportisteve tona.
Ne besojmë në pafajësinë e Akilit dhe urojmë që organet e rendit të drejtësisë sa më parë të zbardhin rastin. Andaj ftojmë mediat të tregojnë maturi në trajtimin e këtij rasti dhe të ndalojnë njollosjen dhe gjykimin publik të një nga figurave që vazhdon të promovoj imazhin pozitiv të vendit tonë.
Akili momentalisht ndodhet jashtë territorit të Kosovës, dhe do të dorëzohet menjëherë tek organet e rendit dhe të drejtësisë në momentin që do të arrijë në Kosovë.
Gjakova, ndër atletët më të njohur në vend, kërkohet për veprën penale dhunë në familje.
Gjakova, 28 vjeç, dyshohet për dhunë fizike ndaj bashkëshortes.