Bujar Osmani pyet “Pse jo Presidentin e parë?! Unë besoj!”
Kandidati për President i koalicionit, Fronti Europian, Bujar Osmani rikujtoi të gjithë qytetarët mbi sakrificat e bëra në të kaluarën për thyerjen e barrierave në Maqedoninë e Veriut, përfshirë edhe 27 prillin, kur për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, Ziadin Sela pothuajse e humbi jetën. Osmani thotë se pas Kryeparlamentarit të parë shqiptar dhe Kryeministrit të parë tani është koha për Presidentin e parë shqiptar për të thyer edhe tabunë e fundit që deri më tani nuk mund të paramendohej për një qytetar që nuk i takonte shumicës.
“Bile edhe cinikët që nuk besonin te ne dhe gabuan përsëri se ne mundemi dhe ia dalim. Sot jo vetëm Kryetarin e kuvendit. Sot e kemi kemi edhe Kryeministrin shqiptar i pranuar nga të gjithë. Por, pse të ndalemi këtu?! Pse mos të kemi edhe Presidentin e parë? Pse jo vëllezër e motra?! Pse jo? Unë besoj!”u shpreh Osmani.
Osmani ftoi qytetarët që të besojnë në vetvete dhe ëndrrat do të bëhen realitet.
“Disa mund të thonë që jemi shumë ambiciozë dhe nuk e shohim realitetin. Por unë do t’ju them që pikërisht vizioni, dëshira për barazi dhe përparim, na sollën këtu. Popujt tonë janë të vyeshëm dhe të ndershëm. Thjesht, duhet të marrim mundësitë që ofrojnë integrimet europiane” theksoi ndër tjerash ai në tubimin qendror të koalicionit.