Bota

Borrelli e krahason Gazën me Gjermaninë e Luftës së Dytë Botërore

Shpërndaje

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e ka krahasuar shkatërrimin e qyteteve në Gaza, me ato në Gjermani gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB).

Borrelli ka thënë se një vlerësim i bërë në fund të janarit nga Banka Botërore dhe Kombet e Bashkuara gjeti se kostoja e rindërtimit të infrastrukturës së Gazës ishte “rreth 90 miliardë dollarë”, duke shtuar se tani situata është ende më keq, raporton AP.

“Mund të themi se më shumë se 60% e infrastrukturës fizike është dëmtuar dhe 35% tërësisht është shkatërruar”, ka thënë Borrelli.

Ai i ka bërë këto komente gjatë sesionit plenar të Parlamentit Evropian, si përgjigje të BE-së ndaj vrasjes së punonjësve të ndihmave, gazetarëve dhe civilëve nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit, në Rripin e Gazës.

Borrelli e ka hapur sesionin me fjalimin e tij, duke thënë se më shumë se 240 punonjës ndihme janë vrarë deri më tani.

“Izraeli duhet ta respektojë të drejtën ndërkombëtare, të zbatojë masat e përkohshme të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të sigurojë mbrojtjen për të gjithë civilët dhe punonjësit e ndihmave që të bëjnë punën e tyre të shpëtimit të jetëve pa u bërë cak”, ka deklaruar Borrelli.

Lufta Izrael-Hamas ka shkatërruar dy nga qytetet më të mëdha në Gaza. Rreth 80% e popullatës së Gazës është larguar në pjesë të tjera të enklavës bregdetare të rrethuar.

Lufta është shkaktuar nga një sulm i paprecedentë në jug të Izraelit më 7 tetor, në të cilin Hamasi dhe militantë të tjerë vranë rreth 1,200 njerëz, shumica civilë, dhe morën rreth 250 pengje.

Izraeli thotë se militantët janë duke i mbajtur ende rreth 100 pengje dhe mbetjet e më shumë se 30 të tjerëve.

Lufta ka lënë të vdekur më shumë se 34,000 palestinezë, sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës, ku rreth dy të tretat e tyre janë gra dhe fëmijë.