Finlanda si Suedia, voton pro për anëtarësimin në NATO. Priten takime me Biden

Shpërndaje

Parlamenti i Finlandës miratoi me shumicë dërrmuese propozimin për të aplikuar për anëtarësim në aleancën ushtarake të NATO-s. Propozimi mori 188 vota pro dhe tetë kundër.

Tashmë Finlanda pritet të nënshkruajë një aplikim zyrtar dhe ta dorëzojë atë në selinë e NATO-s në ditët në vijim, së bashku me Suedinë, ku qeveria e saj njoftoi dje të njëjtin vendim.

Presidenti finlandez Sauli Niinisto teksa priti në një takim kryeministren suedeze të martën tha se ishte ‘optimist’ se Finlanda dhe Suedia do të ishin në gjendje të siguronin mbështetjen e Turqisë për ofertat e tyre për anëtarësim në NATO, pavarësisht kundërshtimeve të minutës së fundit të Ankarasë.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka kërcënuar se do të bllokojë zgjerimin e aleancës, duke akuzuar Helsinkin dhe Stokholmin se strehojnë militantë nga partitë kundër qeverisë së tij.

Ndërkohë në pritje të marrjes së një përgjigje për aplikimin e tyre në NATO, Kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi se Gjermania do të rrisë bashkëpunimin e saj ushtarak me Suedinë dhe Finlandën.

“Ne do ta theksojmë rregullisht këtë bashkëpunim me vizita të rangut të lartë politik në Finlandë dhe Suedi dhe do të intensifikojmë bashkëpunimin tonë ushtarak, veçanërisht në rajonin e Detit Baltik dhe përmes stërvitjeve të përbashkëta”, tha Scholz.

Presidenti finlandez Sauli Niinisto dhe kryeministrja e Suedisë Magdalena Andersson do të takohen edhe me presidentin amerikan Joe Biden për të diskutuar “aplikimet e tyre në NATO-s dhe sigurinë evropiane, si dhe forcimin e partneriteteve të ngushta në një sërë çështjesh globale dhe mbështetjen për Ukrainën.