MaqedoniTop Lajme

Osmani fiton Taravarin me 37,547 vota dallim!

Shpërndaje

37,547 vota është dallimi mes dy kandidatëve shqiptarë për president, Bujar Osmanit nga Fronti Europian dhe Arben Taravarit nga koalicioni VLEN.

Përpos në Gostivar, Tearcë dhe Sopishtë, Fronti Europian shënoi fitore në të gjitha komunat me shumicë shqiptare. Komisioni Zgjedhor, ka përpunuar 99% të votave në nivel republikan, ndërsa në komunat shqiptare, janë numëruar të gjitha vendvotimet.

Në komunat të cilat llogariten si bastione, në Çair, Bujar Osmani, ka fituar 1381 vota më tepër se Taravari. Osmani ka 10,999 vota ndërsa Taravari 9618.

Në Tetovë, Bujar Osmani ka korrur fitore ndaj Taravarit, me rreth 700 vota dallim. Osmani mori 14726 vota, ndërsa Taravari 14,030 vota.

Në Kërçovë, fitorja e Bujar Osmanit ishte goxha më e thellë, me dallim gati 6 mijë vota. Këtu Bujar Osmani ka fituar 8040 vota ndërsa Arben Taravari 2055.

Fitorja e thellë ishte gjithashtu edhe në Strugë, edhe atë me 4700 vota dallim. Osmani në Strugë ka fituar 8073 vota ndërsa Taravari 3374.

Në Kumanovë, dallimi në vota ishte 1878. Bujar Osmani arriti të fitojë 6203 vota ndërsa Arben Taravari 4325 vota. Në Likovë, Bujar Osmani ka fituar 5541 vota ndërsa Arben Taravari 3977. Dallimi 1564 vota.

Tre komunat në të cilat ka fituar Arben Taravari, janë komuna të cilën e drejton vetë ai, Gostivari, Tearca dhe Sopishta.

Në Gostivar, Arben Taravari ka fituar 9895 vota, e Osmani 9820. Dallimi është 75 vota.

Në Tearcë, Taravari ka fituar 3595 vota, e Osmani 3554 vota. Dallimi është 41 vota.

Në Sopishtë, Arben Taravari ka fituar 409 vota e Bujar Osmani 268. Dallimi mes tyre është 141 vota.

Sa u përket komunave të tjera, më të vogla, votat qëndrojnë kështu:

Në Dibër, Osmani ka 3125 vota ndërsa Taravari 1253. Dallimi 1872 vota.

Në Zhelinë, Osmani ka fituar 3500 vota ndërsa Taravari 3195.

Në Saraj, Osmani ka fituar 8324 vota ndërsa Taravari 6020.

Në Studeniçan, Osmani ka fituar 2839 vota ndërsa Taravari 1868.

Në Shuto Orizare, Osmani ka fituar 2699 vota ndërsa Taravari 1054.

Në Vrapçisht, Osmani ka fituar 4269 vota, ndërsa Taravari 2319.

Në Bogovinë, Osmani ka fituar 5221 vota ndërsa Taravari 3796.

Në Haraçinë, Osmani ka fituar 1841 vota e Taravari 1093.

Në Dollnen, Osmani ka fituar 1846 vota e Taravari 1324.

E pavarësisht se sa mori njëri e sa mori tjetri kandidat shqiptar, asnjëri prej tyre nuk arriti të kalojë në rreth të dytë. Në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale që do të mbahet më 8 maj, në garë do të jenë Stevo Pendarovski nga LSDM dhe Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO-DPMNE.