Fidan: Mosmarrëveshja Izrael-Palestinë u kthye në një konflikt midis shtypësve dhe të shtypurve
Ministri i Punëve të Jashtme të Türkiyes, Hakan Fidan ka deklaruar se mosmarrëveshja e gjatë midis Izraelit dhe Palestinës nuk është konflikt i zakonshëm, por një luftë midis shtypësve dhe të shtypurve, raporton Anadolu.
“Konflikti midis Izraelit dhe Palestinës ka mbaruar së qeni një luftë dhe është kthyer në një luftë të shtypësve dhe të shtypurve”, tha Fidan në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij nga Zelanda e Re, Winston Peters.
Kryediplomati turk tha se konflikti evoluoi në “luftë midis themeluesve të sistemit ndërkombëtar dhe të shtypurve brenda këtij sistemi”. Ai tha se Izraeli nuk ka vrarë vetëm palestinezë, por edhe ligjin ndërkombëtar.
Izraeli ka goditur Rripin e Gazës duke vrarë të paktën 34.350 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor kur sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.
Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite në Gaza ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.