Bota

Erdoğan zotohet se zgjedhja e shefit të ri të NATO-s do të bëhet “brenda kornizës së mençurisë strategjike”

Shpërndaje

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, tha se zgjedhja e kreut të ri të NATO-s “do të bëhet brenda kornizës së mençurisë strategjike dhe drejtësisë”, raporton Anadolu.

“Askush nuk duhet të ketë asnjë dyshim se ne do të marrim vendimin tonë brenda kornizës së mençurisë strategjike dhe drejtësisë”, tha presidenti Erdoğan në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin holandez Mark Rutte në Pallatin Vahdettin në Istanbul.

Rutte njoftoi kohët e fundit synimin e tij për t’u bërë Sekretari i ardhshëm i Përgjithshëm i NATO-s.

Erdoğan tha se vëllimi i tregtisë mes dy vendeve arriti në 13.9 miliardë dollarë vitin e kaluar dhe se Ankaraja shpreson që fillimisht ta rrisë atë në 16 miliardë dollarë dhe më pas në 21.4 miliardë dollarë.

“Me 6.4 miliardë dollarë investime, sipërmarrësit turq ofrojnë punësim për rreth 80 mijë njerëz në Holandë”, shtoi Erdoğan.

Nga ana e tij, kryeministri holandez Mark Rutte tha se Türkiye luan një rol të rëndësishëm në përpjekjen për t’i dhënë fund luftës së Gazës.

Ai gjithashtu nënvizoi rëndësinë e qëndrimit dhe ndikimit gjeopolitik të Türkiye në rajon.

Duke vënë në dukje se Türkiye është një “aleat vendimtar”, Rutte tha se krahu jugor i NATO-s ka nevojë për Türkiyen dhe udhëheqjen e saj.