Kurti: Oda e familjes Kodra u bë bazë e rritjes së UÇK-së
Albin Kurti, Ilaz Kodra, Kuvendi i Kosovës
Sot Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë solemne në nderim të komandantit të UÇK-së Ilaz Kodra, dhe 315 dëshmorë e martirë që ranë në Drenicë për lirinë e Kosovës.
Fjalë të rastit mbajti edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Kurti tha se oda e familjes Kodra u bë bazë e grupeve të armatosura, që e rriti UÇK-në.
“Aty u diskutuan dhe u organizuan aksione dhe aktivitetet nga Ilaz Kodra, Zenun Kodra, Fadil Kodra, Adem Jashari, Hamëz Jashari, Sahit Jashari, Musa Jashari, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Nuredin Lushtaku, Sami Lushtaku, Fehmi Lladrovci, Ramiz Lladrovci”, tha Kurti.
Ai theksoi se gjatë sulmit të parë në Prekaz mbi familjen e komandantit legjendar Adem Jashari më 30 dhjetor 1991, Ilaz Kodra me shokë kishin rezistuar me armë ndaj forcave serbe.
Heroi Ilaz Kodra, bashkë me 315 dëshmorë e martirë ranë më 30 prill 1999-të.