Sulmet e Izraelit në Gaza e kanë kthyer rajonin në një “mjedis të pabanueshëm”
Shkatërrimi i madh i shkaktuar nga sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës, i cili vazhdon që nga 7 tetori 2023, “ka krijuar një mjedis të papërshtatshëm për jetën” në Gaza, transmeton Anadolu.
Byroja Qendrore Palestineze e Statistikave dhe Autoriteti Palestinez i Cilësisë së Mjedisit me rastin e 5 qershorit, Ditës Botërore të Mjedisit publikuan një raport të përbashkët.
Sipas raportit, uji i disponueshëm në Rripin e Gazës vlerësohet të jetë afërsisht 10 deri në 20 për qind e totalit të ujit në dispozicion para sulmit.
Sulmet e Izraelit në Gaza “krijuan një mjedis të papërshtatshëm për jetën” dhe infrastruktura u shkatërrua gjerësisht. Mungesa e karburantit çoi në dështimin e të gjitha impianteve dhe sistemeve të trajtimit të ujërave të zeza.
Sulmet shkaktuan ndalimin e rreth 65 pompave të ujërave të zeza dhe shkatërrimin e rreth 70 kilometrave kanalizim të ujërave të zeza.
Rreth 130 mijë metra kub ujëra të zeza në ditë shkarkohen qoftë në det apo në Luginën e Gazës ndërsa shumica e ujërave të zeza rrjedhin në rrugë.
Një sasi e madhe mbetjesh të ngurta grumbullohen çdo ditë si rezultat i shkatërrimit të rrugëve dhe automjeteve në Gaza.