Kryeministri Kurti sjell lajme të mira nga Gjermania
Kryeministri Albin Kurti sot ka qëndruar për një vizitë në Gjermani. Ai përmes një postimi në Facebook ka treguar se ka vizituar objektin e ri të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, e cila gjendet në Rotherbaum.
Kurti shkruan se, ndërrimi i objektit të konsullatës është një dëshmi e qartë e angazhimit të Qeverisë së Kosovës për të mbrojtur imazhin e Republikës së Kosovës kudo në botë.
Postimi i plotë:
Gjatë qëndrimit në Hamburg vizitova objektin e ri të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës, e cila gjendet në Rotherbaum në një nga lagjet më të bukura të qytetit, fiks përballë stacionit të metros Hallerstrasse U1 në adresën Rothenbaumchaussee 133 (20149 Hamburg).
Ndërrimi i objektit të konsullatës është një dëshmi e qartë e angazhimit të Qeverisë së Kosovës për të mbrojtur imazhin e Republikës së Kosovës kudo në botë dhe për të ofruar shërbime sa më të mira konsullore për qytetarët tanë.
Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Hamburg, së bashku me pesë misionet tjera konsullore në Gjermani, përbën misionin më të madh diplomatik dhe konsullor të Republikës së Kosovës në botë. Ky mision nuk është vetëm në shërbim të mërgatës tonë të madhe në Gjermani, por edhe një pasqyrë e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.