Bota

Türkiye alarmon rreth “gjenocidit të vazhdueshëm” në Gaza dhe sulmeve izraelite në Bregun Perëndimor

Shpërndaje

Türkiye ka paralajmëruar se “gjenocidi i vazhdueshëm në Gaza, si dhe dhuna e kolonëve kundër palestinezëve dhe sulmet ushtarake izraelite në Bregun Perëndimor janë alarmante”, raporton Anadolu.

Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiyes përmes një deklarate i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar se “duhet të veprojë sa më shpejt që të jetë e mundur për të ndaluar sulmet izraelite, të cilat kërcënojnë stabilitetin e rajonit tonë dhe rendin ndërkombëtar, si dhe për të ulur tensionet”.

Duke theksuar se kryediplomati turk Hakan Fidan u takua me anëtarët e tjerë të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) dhe Grupit të Kontaktit të Ligës Arabe për Gazën, në deklaratë thuhet se grupi i kontaktit u prit gjithashtu nga mbreti i Jordanisë, Abdullah.

Në deklaratën e MPJ-së turke shtohet se gjatë takimeve u diskutuan përpjekjet për të ndalur “gjenocidin izraelit” në Gaza, për të siguruar dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza, për të promovuar bisedimet për armëpushim dhe për t’i dhënë fund “pushtimit në rritje të Bregut Perëndimor, provokimeve kundër ‘status quo’-së historike të Xhamisë Al-Aksa dhe Kudsit”.

Në deklaratë theksohet se Grupi i Kontaktit për Gazën do të vazhdojë përpjekjet për “zbatimin e menjëhershëm” të një zgjidhjeje me dy shtete për të vendosur paqen e qëndrueshme në Palestinë, rritjen e njohjes së Palestinës nga më shumë vende dhe anëtarësimin e saj të plotë në OKB, si hapi fillestar në këtë proces.

Ministri Fidan udhëtoi sot për në Jordani për të marrë pjesë në takimin e grupit të kontaktit për Gazën.

Takimi vjen pas mbledhjes së javës së kaluar në Madrid, ku përfshiheshin përfaqësues nga Spanja, Norvegjia, Sllovenia, Komisioni Evropian dhe vende të tjera.

Grupi i kontaktit, i formuar në një Samit të Jashtëzakonshëm të Përbashkët OBI-Liga Arabe në Riad nëntorin e kaluar, ka qenë aktivisht i angazhuar në nismat diplomatike në mbarë botën për të ndaluar ofensivën e pamëshirshme izraelite.

Duke shpërfillur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm, Izraeli është përballur me kritika ndërkombëtare në mes të ofensivës së tij brutale të vazhdueshme në Gaza që nga sulmi i 7 tetorit 2023 nga grupi palestinez Hamas.

Sipas autoriteteve lokale shëndetësore, që atëherë janë vrarë më shumë se 41.270 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa mbi 95.400 janë plagosur.

Sulmi izraelit ka zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e territorit mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli gjithashtu përballet me akuza për gjenocid për veprimet e tij në Gaza në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.