LSDM: Janë përfshirë vetëm 73 produkte! Mickoski: Shporta e vjeshtës i përmban produktet që përdoren më së shumti
“Për sy e faqe” – kështu e vlerëson opozita vendimin e Qeverisë për kufizimin e marzhës deri në 10 për qind për një pjesë të produkteve themelore ushqimore. Nga LSDM reaguan se Qeveria i ka ngrirë marzhat për, siç thonë, 73 produkte, duke shtuar se masat nga pakoja antikrizë e pushtetit paraprak kanë përshirë mbi 500 produkte. Sipas LSDM-së politikat aktuale ekonomike janë të gabuara dhe me to ulet standardi i qytetarëve.
“Me ngrirjen e paralajmëruar të marzhit të vetëm 73 produkteve, Qeveria nën presionin e opinionit e bëri këtë për sy e faqe dhe rezultati nuk do të jetë asgjë. Masat e qeverisë së Hristijan Mickoskit janë të vonuara dhe nuk do të kenë efekt real as në uljen e çmimeve të produkteve dhe as në standardin e qytetarëve. Në vend të një politike ekonomike, ne shohim politikë kalkuluese të Qeverisë”, thonë nga LSDM.
Kryeministri Hristijan Mickoski u përgjigj se tezat e LSDM-së janë pa ide, kurse masa me shportën e vjeshtës përfshin produktet që përdoren më së shumti gjatë kësaj periudhe.
“Kjo shportë vjeshte është e targetuar dhe është rezultat i një sondazhi që është bërë me qytetarët – cilat janë produktet më të përdorura nga qytetarët këtë vjeshtë. Të njëjtë do të ketë edhe para Vitit të Ri, do të ketë edhe në pranverë”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Masa përfshin bukën, mishin, orizin, bulmetin, frutat, perimet e të tjera… Në raftet e marketeve, së shpejti do të nisin të shiten këto 73 produkte të shënuara me mbishkrimin – “më pak shpenzime, më shumë për ju”. Vendimi është marrë për shkak të rritjes së çmimeve të këtyre produkteve për dallim nga çmimet e vitit të kaluar. Sipas autoriteteve, çmimet e rritura ishin të tepërta dhe joproporcionale në raport me shpenzimet e tregtarëve. E ashtuquajtura shporta e vjeshtës do të zgjasë deri më 31 tetor.