Ligji i Gjuhës në Maqedoninë e Veriut, Mexhiti: S’bëhet fjalë për shfuqizim
Zv.kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka folur për ligjin e gjuhës shqipe, duke theksuar se ky ligj, i miratuar nga qeveria e kaluar, është i paplotë, dhe se ka qenë vetë qeveria e shkuar që e ka çuar këtë ligj për mendim në Komisionin e Venecias.
Në një intervistë për RTSH 24, Mexhiti u shpreh se Komisioni i Venecias ka nënvizuar se dy nga nenet kyçe të ligjit, të cilat lidhen me përdorimin e gjuhës shqipe në proceset gjyqësore dhe uniformat e policisë dhe ushtrisë, që nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Kjo sipas tij ka sjellë dhe debatin në Gjykatën Kushtetuese lidhur me debatet për gjuhën, ku sqaron se nuk ka të bëjë me Ligjin e Gjuhës, por vetëm me këto dy nene që duhet gjetur një zgjidhje sa më e mirë në përputhje me Kushtetutën.