Qeveria kufizoi marzhet – A do të ulen çmimet?! Tregtarët të revoltuar, kërkojnë takim urgjent me kryeministrin!
Të zhgënjyer dhe të brengosur – me kërkesë për takim urgjent me kryeministrin dhe ministrin e ekonomisë dhe kërcënim se do t’i mbyllin marketet. Oda ekonomike e tregtarëve me shumicë dhe pakicë keq e priti vendimin e Qeverisë për kufizimin e marzhave për mbi 100 grupe të produkteve dhe ngrirjen e çmimeve të produkteve ushqimore elementare. Thonë se kjo paraqet goditje e rëndë për ta dhe se masat do të shkaktojnë dëme të mëdha.
“Vendimi i sjellë nga Qeveria është në dëm të madh për tregtarët dhe shkakton rrezik për mbijetesë dhe pjesa më e madhe nga ato markete pas përfundimit të masave janë të obliguar që të mbyllen. Ne si tregtarë do të ishim të kënaqur vetëm me 5% marzhë të fitimit. Me këtë ka pasqyrë të saktë para popullit dhe Qeverisë se tregtarët nuk kërkojnë që të përfitojnë shumë, e as nuk mund të punojnë me humbje”, tha Lavdrim Gega – kryetar i Odës Ekonomike me shumicë dhe pakicë.
Nga kjo Odë thonë se Qeveria nuk i ka marrë parasysh propozimet e tyre dhe se i ka rritur masat nga ajo që ka paralajmëruar. Thonë se në pyetje është sjellë ekzistenca e 1085 shitoreve me 9000 të punësuar. Qeveria dje solli dy masa në përpjekje për të ulur çmimet e ushqimit. Me njërën masë kufizohen marzhet nga 5 deri në 15% për 102 grupe të produkteve, ndërsa me masën tjetër ngrihen çmimet për 8 grupe të produkteve, ndërsa çmimi më i lart do të jetë ai i 1 shkurtit. Pret që çmimet të ulen deri në 10% përveç për ato produkte themelore nga 8 grupet e produkteve për të cilat pret që çmimet të mbeten të njëjta. Masat do të zgjasin deri në fund të prillit, me çka do të përfshihen edhe Ramazani dhe festa e Pashkëve.
BRUTO MARZHI I FITIMIT 5%
Bukë, qumësht, miell tip 400 dhe 500, kos, dhallë, vezë, vaj.
BRUTO MARZHI I FITIMIT 10%
Sheqer, produkte të qumështit, margarinë, gjalpë, fasule, perime të konservuar, pemë të konservuara, lëngje të gazuara, birrë, verë.
BRUTO MARZHI I FITIMIT 15%
Fruta të freskët, perime të freskëta, xhel për dush prej 250 ml., shampo prej 400 deri në 800 ml, faculeta të lagura, letër tualeti, peceta higjienike, pelena për fëmijë, ushqime për foshnja, sapun dhe sapun i lëngshëm, detergjent për rroba.
“Analiza e ISHT-së tregoi se tregtarët me shumicë dhe pakicë llogaritin bruto marzh fitimi për produktet ushqimore bazë prej 20%-25% për produktet bazë në tregtinë me pakicë dhe 20% – 50% në tregtinë me shumicë. Ky vendim detyron të gjithë ata që merren me tregtinë me shumicë dhe pakicë që të sigurojnë që të gjitha këto produkte të jenë të pranishme në rafte të paktën 70%”, u shpreh Marjan Risteski – zëvendësministër i Ekonomisë dhe Punës.
Analiza e Inspektoratit të Tregut ka treguar se bruto marzha e fitimit e gjithë zinxhirit për furnizim me ushqim është nga 50%-70%. Produktet që kushtojnë 100 denarë, qytetarët në shitore i paguajnë 170 denarë.