Bota

Putini zor që do ta pranojë propozimin e SHBA-së për armëpushim

Shpërndaje

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, zor që do ta pranojë propozimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për armëpushim me Ukrainën ndërsa trupat ruse po përparojnë në vijën e fronit, ka thënë një burim i lartë rus për “The Telegraph”.

“Është e vështirë për Putinin të pajtohet me këtë në formën aktuale. Putini ka pozicion të fortë sepse Rusia po përparon”, ka thënë ky burim.

Përparimet e Rusisë në Ukrainën lindore, ku është përqendruar më së shumti, janë ngadalësuar javët e fundit.

Moska përparoi me 389 kilometra katrorë në shkurt, pasi paraprakisht kishte avancuar 431 kilometra katrorë në janar, 476 kilometra katrorë në dhjetor 2024 dhe 725 kilometra katrorë në nëntor, raportoi AFP.

Megjithatë, Rusia ka kthyer territore të konsiderueshme në rajonin e Kurskut, i cili u pushtua nga Ukraina gjatë verës, gjatë javëve të fundit. Të martën, Moska ka thënë se kishte rimarrë 12 vendbanime nga Kievi.

Ndërkohë, një burim tjetër rus ka thënë se propozimi amerikan i armëpushimit dukej nga këndvështrimi i Moskës si kurth, sepse Putini do ta kishte të vështirë ta ndalonte luftën pa garanci apo premtime konkrete.

Ukraina ra dakord me SHBA-në fillimisht për armëpushim 30-ditor. Në këmbim, SHBA-ja ktheu ndihmën e inteligjencës dhe sigurisë për Ukrainën. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë se tani topi është në anën e Rusisë.