RajoniTop Lajme

Shqipëria pranohet si pjesëmarrëse e asociuar në Iniciativën e Tre Deteve

Shpërndaje

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka njoftuar një “lajm të shkëlqyer” nga samiti i Iniciativës së Tre Deteve, që po mbahet këto dy ditë në Varshavë, ku Shqipëria është pranuar si anëtare pjesëmarrëse e asociuar, transmeton Anadolu.

“Përmes Iniciativës së Tre Deteve, një platformë për vendet që ndajnë të njëjtin vizion për zgjerimin e BE-së, Shqipëria do të përfitojë nga mundësitë e zgjeruara të investimit, jo vetëm në transport, por edhe në rrjetet e energjisë dhe infrastrukturën digjitale”, shkroi presidenti Begaj në platformën sociale X.

Sipas presidentit shqiptar, këto zhvillime synojnë të rrisin sigurinë, qëndrueshmërinë, diversifikimin dhe konkurrueshmërinë, të cilat janë thelbësore për agjendën evropiane dhe integrimin e Shqipërisë në BE.

Iniciativa e Tre Deteve, e cila njihet edhe si si Iniciativa e Balltikut, Adriatikut dhe Detit të Zi, është një partneritet ekonomik që synon të zhvillojë tre sektorë kryesorë: transportin, energjinë dhe teknologjinë.

Kjo iniciativë fillimisht bashkoi 12 vende anëtare të BE-së, respektivisht Austrinë, Bullgarinë, Kroacinë, Republikën Çeke, Estoninë, Hungarinë, Letoninë, Lituanianë, Poloninë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Slloveninë, duke u zgjeruar në vitin 2023 me përfshirjen edhe të Greqisë.

Aktualisht, grupi ka 13 vende pjesëmarrëse dhe tre vende pjesëmarrëse të asociuara, Ukrainën, Moldavinë dhe Shqipërinë. Partnerët strategjikë të inciativës janë SHBA-ja, Japonia, Komisioni Evropian dhe Gjermania.