Abdixhiku pas takimit me Osmanin: Presim që zgjidhja të bëhet nëpërmjet insistimit për shumicë politike
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është deklaruar pas takimit me presidenten Vjosa Osmani.Ai u shpreh se presim që zgjidhja të bëhet nëpërmjet insistimit për shumicë politike.
Postimi nga ABDIXHIKU:
Presidenten e vendit, znj. Vjosa Osmanin, në takimin e sotëm konstruktiv, e njoftova mbi qëndrimet dhe bindjet e Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi krizën e madhe politike në vend – para dhe pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Shpreha brengën tonë për vonesat edhe procedurale edhe politike – të paprecedenta për Republikën – rreth formimit të shumicës; sikurse dhe brengën për veprimet arbitrare në Kuvend nga partia e parë, që fillimisht pamundësojnë votimin e lirshëm; e më pas, me vetëdije të plotë, refuzojnë të implementojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Mirëpresim çdo takim e përpjekje për zgjidhje; por mbi të gjitha, ftojmë për përgjegjësi politike. LDK ka ofruar dhe zgjidhje; përtej vetes, deri tek uniteti. Insistimi në bllokadë me gjithë mundësitë për kompromis e arsyeshmëri, është insistim në krizë; gjersa mosrespektimi i Gjykatës Kushtetuese, në një çështje kaq jetike për shtetin – është përmbysje e rendit kushtetues.
LDK e respekton në plotni vendimin e Gjykatës Kushtetuese; si gjithherë. LDK ka ofruar dhe unitet. LDK e njeh krizën e tanishme. LDK kërkon arsyeshmëri politike.