Videoja po bën xhiron në internet – një foshnje e porsalindur nxirret e gjallë nga rrënojat pas tërmetit në Marok

Shpërndaje

Një video e cila po bën xhiron në internet tregon momentin kur një foshnje e porsalindur nxirret e gjallë nga rrënojat pas tërmetit në Marok.

Pamjet e rënda u publikuan në rrjetin social X (Ish Twitter) por nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.

Foshnja ishte e mbuluar nga dheu kur u shpëtua nga një burrë aty pranë. Ajo thuhet se u dërgua në spital pasi u nxor e gjallë.

Në internet ka pasur mjaft pamje shqetësuese të pasojave pas këtij tërmeti që ndodhi të premten mbrëma.

Tërmeti kishte shkallën 6.8 por u përcoll edhe me një pasgoditje prej 4.9 rreth 19 minuta më vonë.

Epiqendra ishte në një zonë me popullsi të rrallë të Maleve të Atlasit të Lartë, 71 kilometra në jug-perëndim të Marrakeshit, një destinacion i madh turistik.