MaqedoniTop Lajme

Temperatura të larta gjatë javës, IHMK-ja kërkon shmangie nga dielli

Shpërndaje

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se një javë e nxehtë parashikohet të përfshijë Kosovën.

Sipas njoftimit, kjo situate vjen si pasojë e masave të nxehta të ajrit të ardhura nga pjesa e Afrikës Veriore.

Këto masa ajrore, të cilat karakterizohen nga temperatura shumë të larta dhe përmbajtje të ulët të lagështisë, janë rezultat i qarkullimeve atmosferike që favorizojnë zhvendosjen e ajrit tropikal drejt veriut.

Konkretisht, sipas IHMK-së, një presion i lartë atmosferik i vendosur në pjesën qendrore dhe jugore të Mesdheut ka krijuar kushte për rrjedhën e një mase ajrore subtropikale kontinentale nga shkretëtira e Saharasë drejt gadishullit Ballkanik.

Sipas njoftimit, ky fenomen meteorologjik shfaqet shpesh gjatë muajve të verës dhe zakonisht shoqërohet me rritje ekstreme të temperaturave, ulje të ndjeshme të reshjeve, si dhe rrezik të shtuar për thatësirë dhe zjarre në zona pyjore dhe fusha bujqësore. Temperaturat mund të tejkalojnë lehtësisht vlerat mesatare sezonale, duke shkaktuar valë të nxehti që ndikojnë negativisht në shëndetin publik.

Indeksi UV do të jetë i lartë, prandaj këshillohet që nga ora 9-17 të kufizohemi nga rrezet direkte të diellit, moshat e shtyra, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike mbeten më të rrezikuara.