BotaTop Lajme

Zelensky: Garancitë e sigurisë për Ukrainën do të jenë gati në ditët në vijim!

Shpërndaje

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, zhvilloi të shtunën (23 gusht) një bisedë telefonike me kryeministrin e Holandës, Dick Schoof, ku diskutuan mbi situatën aktuale në Ukrainë, iniciativat diplomatike dhe mbështetjen ndërkombëtare.

Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky falënderoi kryeministrin holandez për “fjalët e ngrohta mbështetëse”, duke vlerësuar ndihmën dhe solidaritetin e vazhdueshëm të Holandës për popullin ukrainas.

Presidenti ukrainas theksoi se biseda përfshiu zhvillimet më të fundit diplomatike, kontaktet në Uashington dhe perspektivën për përfundimin e luftës. Ai përsëriti gatishmërinë e Ukrainës për të ndërmarrë “hapa konstruktivë për paqen”, por vuri në dukje se Rusia “nuk tregon asnjë prirje” dhe vazhdon bombardimet ndaj qyteteve ukrainase.

“Ne i interpretojmë të gjitha sinjalet që vijnë nga Moska në të njëjtën mënyrë. Nevojitet presion për të ndryshuar qëndrimin e saj, si dhe një takim në nivelin më të lartë për të diskutuar të gjitha çështjet,” deklaroi Zelensky.

Një nga temat kryesore të diskutimit ishin garancitë e sigurisë për Ukrainën. Sipas Zelenskyt, ekipet e Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë po punojnë në ndërtimin e arkitekturës së re të sigurisë, e cila pritet të jetë gati në ditët në vijim.

Gjithashtu, bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes ishte në fokus të bisedës. Zelensky bëri të ditur se janë arritur marrëveshje të rëndësishme në këtë drejtim dhe paralajmëroi një takim të ardhshëm me përfaqësues të qeverisë holandeze për të avancuar më tej bashkëpunimin.