Aliu u takua me Kedevin, të gjitha spitalet private nga 15 shtatori duhet ta informojnë MSH për të gjitha kontrollet dhe intervenimet e kryera
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu sot kishte takim me dr. Sashko Kedev, në të cilën janë shkëmbyer informacione lidhur me konstatimet se janë kryer intervenime të panevojshme kardiokirurgjikale tek pacientë në spitalet private, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Postimi nga ministri ALIU:
Sot u takova me prof. dr. Sashko Kedev, ku biseduam në detaje për pohimet që u paraqitën në opinion se janë kryer ndërhyrje të panevojshme kardiokirurgjikale te pacientët.
E informova dr. Kedev se do të dërgohet një shkresë me të cilën të gjitha institucionet shëndetësore private do të obligohen që nga 15 shtatori ta informojnë Ministrinë, përkatësisht Drejtorinë për Shëndetësi Elektronike, për të gjitha kontrollat dhe ndërhyrjet e kryera.
Ministria e Shëndetësisë është e hapur për bashkëpunim me gjithë të përfshirët dhe i ftojmë të gjitha palët e interesuara që kanë çfarëdo lloj informacioni për ndonjë parregullsi eventuale në sistem, të paraqiten menjëherë në Ministri. Transparenca është një nga shtyllat kryesore në punën e Ministrisë dhe ka rëndësi kyçe për avancimin e proceseve në sistem.