MaqedoniTop Lajme

Studentët kërkojnë rritjen e shumës së shujtës studentore nga 140 në 150 denarë

Shpërndaje

Trupi nacional studentor kërkon që shuma e shujtës studentore të rritet në 150 denarë, 10 denarë më shumë nga ajo që po zbatohet për momentin. Sipas këtij trupi, kjo kërkesë bëhet në përputhje me Ligjin për subvencionim të shujtës studentopre e cila përshtatet në përputhje me normën e inflacionit pas çdo viti fiskal dhe para miratimit të buxhetit për vitin e ardhshëm.

“Nëse marrim parasysh se mesatarisht rreth 30,000 studentë në vend janë përfitues të masës gjatë 9 muajve të vitit, atëherë kjo rritje kërkon 70,200,000 denarë shtesë ose 1,141,463 euro në vit. Kjo përshtatje nuk është një privilegj shtesë, por një hap i domosdoshëm për të ruajtur vlerën reale të ushqimit studentor. Kjo rritje do të ofrojë siguri dhe mbështetje më të madhe për studentët përballë rritjes së kostove të jetesës, do të lehtësojë barrën e tyre financiare dhe do të kontribuojë në krijimin e kushteve më të mira për studim,” tha Aleksandar Nikollovski, Trupi Nacional Studentor.

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se do të angazhohet për të plotësuar këtë kërkesë të studentëve. Mirëpo, siç tha Janevska realizimi nuk mund të garantohet për momentin.

“Deri tani, çdo gjë që është kërkuar nga ana e tyre është realizuar dhe plotësuar. Kjo çështje ka arritur deri tek unë, mendoj se në të ardhmen ndoshta mund të dakordohemi mirëpo në këtë moment nuk mund të garantoj sepse buxheti i Ministrisë së Arsimit varet nga buxheti i shtetit. Sigurisht që do të angazhohem, nëse është e mundur edhe kjo kërkesë të realizohet vitin e ardhshëm,” deklaroi Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

Herën e fundit, shuma e subvencionit të shujtës studentore ndryshoi në vitin 2023 nga 120 në 140 denarë. Ndërkohë, Ministria e Arsimit deri më 5 shtator do të pranojë aplikime nga studentët e vendit për realizimin e të drejtës për subvencionimin e shujtës për studentët gjatë vitit akademik 2025/2026. /alsat.mk