Trump akuzon Kinën, Korenë e Veriut dhe Rusinë për komplot kundër SHBA-së
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump akuzoi udhëheqësit e Kinës, Koresë së Veriut dhe Rusisë për komplot kundër vendit të tij, ndërkohë që Kina organizonte paradë që shfaqte fuqinë e saj ushtarake, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga llogaria e tij e medias sociale, Trump tha: “Pyetja më e rëndësishme ndaj së cilës duhet dhënë përgjigje është nëse presidenti Xi do të flasë apo jo për gjakun dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që SHBA-ja i ka dhënë Kinës për të siguruar lirinë e saj nga një pushtues i huaj”.
“Shumë amerikanë kanë humbur jetën në luftën e Kinës për fitore”, deklaroi Trump i cili theksoi shpresën e tij se guximi dhe sakrifica e tyre do të “nderohen dhe kujtohen me të drejtë”.
Trump akuzoi udhëheqësit e Kinës, Koresë së Veriut dhe Rusisë për komplot kundër SHBA-së.
“Uroj që presidenti Xi dhe populli i madh i Kinës të kalojnë një ditë të mrekullueshme dhe të qëndrueshme festimi. Ju lutem përcillni përshëndetjet e mia më të ngrohta (presidentit rus) Vladimir Putin dhe (udhëheqësit të Koresë së Veriut) Kim Jong Un, ndërsa ata komplotojnë kundër SHBA-së”.
Ka tërhequr vëmendjen se deklarata u publikua më 3 shtator, të njëjtën ditë që një paradë e madhe ushtarake do të mbahet në sheshin “Tiananmen” në Pekin, si pjesë e festimeve të 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Kinë.
Si pjesë e paradave në sheshin historik, Kina shfaq aftësitë e saj ushtarake të gjeneratës së ardhshme, përfshirë mjete ajrore të reja pa pilot, mjete lufte kibernetike dhe elektronike si dhe armë hipersonike.