Voton Presidenti Begaj: Këto votime nuk janë të partive politike, janë të qytetarëve

Shpërndaje

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka votuar sot rreth orës 9:00 në zgjedhjet lokale që po mbahen në vend. Ai është paraqitur në qendrën e votimit së bashku me bashkëshorten për të ushtruar të drejtën e tij.

“Është një ditë e rëndësishme në demokraci, është dita e zgjedhjeve dhe unë sot ushtrova detyrën time si qytetar. Natyrisht që çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë me të drejtë vote, sot ka ditën që të dëgjohet, që vota e tij të lexohet, fuqia dhe pushteti i votës së tij të bëjë ndryshimin. Këto votime nuk janë të partive politike, janë të qytetarëve dhe duhet t’i shërbejnë qytetarëve”, u shpreh Begaj.

Sot, më 14 maj shqiptarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiak për 4 vitet e ardhshme.

Sipas listës së fundit të shpërndarë nga Ministria e Brendshme, të drejtën e votës në zgjedhjet e 14 majit e kanë 3 milionë e 650,550 shtetas shqiptarë. Nga këta 122,545 janë qytetarë që e kanë mundësinë për të votuar për herë të parë. Këta qytetarë do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre në 5,211 qendra votimi në të gjithë vendin.