RajoniTop Lajme

Mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote në zgjedhjet lokale

Shpërndaje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar listën e votuesve për zgjedhjet lokale. Në mbledhjen e mbajtur të shtunën u bë e ditur se më 12 tetor do të kenë të drejtë vote 2 milionë e 69 mijë e 95 persona. Mbledhja u shoqërua me debat e përplasje mes përfaqësueses së Listës Serbe dhe atyre të partive shqiptare në KQZ.

Dy milionë e 69 mijë e 98 qytetarë do të kenë të drejtë vote në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shtunën ka certifikuar listën e votueseve, e cila përfshin edhe ata nga diaspora.

Dy milionë e 25 mijë e 105 qytetarë do të votojnë brenda Kosovës e 43 mijë e 993 me postë.

“Kjo listë përfshin shtetasit me të drejtë vote që arrijnë moshën 18 më 12 tetor, dhe po ashtu edhe të gjithë personat e tjerë që jetojnë jashtë Kosovës dhe ata që jetojnë në Kosovë… votues që për herë të parë kanë arritur të votojnë për herë të parë janë 26 mijë e 799 votues që kanë arritur moshën 18-vjeç pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe 10.700 votues që janë për herë të parë për këtë vit aktivizohen në kuadër të regjistrit civil”, ka thënë përfaqësuesi i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani.

Procesi zgjedhor do të organizohet në 938 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 625 vendvotime.

Në fakt, mbledhja e së shtunës e KQZ-së u shoqërua me përplasje verbale mes anëtares së Listës Serbe, Gordana Laban dhe anëtarëve të partive shqiptare.

Laban u ankua për vonesën në shpërndarjen e materialeve të mbledhjes dhe kërkoi të shohë dizajnët e fletëvotimeve dhe broshurave përpara votimit për miratimin e tyre.

Megjithatë, dizajni i fletëvotimeve dhe broshurave u miratua.

Anëtarët e KQZ-së nga radhët e Vetëvendosjes, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi, abstenuan, duke thënë se do të miratojnë vetëm fletëvotimet ku nuk figuron Lista Serbe.