BotaTop Lajme

Trump pret në takim në New York kryeministrin e Katarit pas sulmit izraelit në Doha

Shpërndaje

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka pritur në takim në New York kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman al-Thani, transmeton Anadolu.

“Darkë e shkëlqyer me presidentin e SHBA-së. Sapo përfundoi”, shkroi zv/shefi i Misionit në Ambasadën e Shtetit të Katarit në Washington, Hamad Al-Muftah, në platformën sociale të kompanisë amerikane X.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se darka është mbajtur, por nuk dha detaje.

Takimi vjen pas sulmeve të së martës nga Izraeli që shënjestruan drejtues të grupit palestinez Hamas në Doha, të cilat kanë shkaktuar dënime të gjera nga rajoni dhe më gjerë.

Trump gjithashtu shprehu pakënaqësi ndaj Izraelit pas sulmit, duke theksuar se ishte një veprim unilateral që nuk avanconte interesat e SHBA-së apo të Izraelit.

Sulmi vrau pesë anëtarë të Hamasit dhe një zyrtar të sigurisë nga Katari, të cilët po diskutonin një marrëveshje të re të propozuar nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës në Gaza, ku Izraeli ka vrarë më shumë se 64 mijë palestinezë që nga tetori i vitit 2023. Katari ka qenë ndërmjetësi kryesor në negociatat për t’i dhënë fund luftës.

Para darkës me Trumpin, Sheikh Mohammed u takua në Shtëpinë e Bardhë me zv/presidentin amerikan JD Vance dhe sekretarin e shtetit Marco Rubio.