MaqedoniTop Lajme

Osmani: Çairi do të jetë shembull i bashkëjetesës dhe barazisë etnike

Shpërndaje

ot jemi këtu, në zemër të Çairit, për të dërguar një mesazh të qartë: e ardhmja e kësaj komune dhe e shtetit tonë nuk do të ndërtohet mbi ndarje, por mbi shpresë, bashkëjetesë dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Kështu ka thënë kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për kryetar i Çairit, Bujar Osmani, ndërsa ka shtuar se shteti ynë është krijuar si shtet multietnik.

Kjo, ka thënë Osmani, nuk është dobësi – kjo është forca më e madhe që e kemi. “Që nga Marrëveshja e Ohrit e deri më sot, kemi mësuar se kur komunitetet respektohen, kur të gjithë ndihen të barabartë, atëherë shteti ecën përpara. Kur prishet ai ekuilibër, atëherë humbasim të gjithë. Në periudhën e fundit shohim përpjekje të rrezikshme për ta rrezikuar këtë ekuilibër. Por ne këtu, në Çair, nuk do të lejojmë askënd ta zhbëjë shpirtin e Ohrit. Detyra jonë është të ndërtojmë një shembull – shembull se si dallimet mund të jenë pasuri, e jo arsye për përçarje. Pas 19 tetorit, Çairi do të bëhet baza e bashkësisë dhe barazisë”, tha ai.

Prandaj, vijoi më tej ai,sot dua t’ju paraqes iniciativat që do ta bëjnë këtë vizion realitet.

“’Shtëpia e bashkëjetesës’: do të ndërtojmë një qendër ku maqedonas, shqiptarë, turq, boshnjakë, romë dhe të gjitha komunitetet do të mund ta paraqesin kulturën dhe traditën e tyre. Çdo javë do të ketë një mbrëmje kulturore kushtuar një komuniteti tjetër, me muzikë, gastronomi, debate dhe projekte rinore. Çairi do të bëhet shtëpi e dialogut kulturor dhe miqësisë. Kemi paraparë edhe ‘Fond për përfaqësim të barabartë’, me çka do të krijojmë një mekanizëm buxhetor komunal që do të sigurojë që të gjithë të rinjtë – pa dallim përkatësie etnike – të kenë mundësi të barabarta për bursa, praktika dhe punësime. Ky fond do të jetë garanci që përfaqësimi i drejtë nuk është vetëm fjalë, por praktikë e gjallë”.

Osmani e si nismë e përmendi edhe “Këshillin komunal për bashkëjetesë”. “Në Çair do të formojmë një trup të përbërë nga përfaqësues të të gjitha komuniteteve etnike dhe fetare, i cili do të ndjekë dhe promovojë harmoninë dhe respektin e ndërsjellë. Ky këshill do të jetë rojtar i përhershëm i paqes dhe bashkëjetesës në komunën tonë”.

Më tej, para gazetarëve, Osmani tha se do të shënohet edhe “Dita e Marrëveshjes së Ohrit”, si nismë e re në Komunën e Çairit. “Çdo vit Çairi do të organizojë kremtime dhe diskutime tematike mbi rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit. Do të kujtojmë se barazia dhe bashkëjetesa nuk janë e kaluar – ato janë themelet e së ardhmes sonë. Kjo betejë nuk është vetëm për Çairin. Kjo është betejë për atë se çfarë shoqërie do t’ua lëmë fëmijëve tanë. A do të jetë kjo shoqëri e frikës dhe përjashtimit, apo shoqëri e barazisë dhe dinjitetit? Unë ju premtoj: në Çair nuk do të ketë qytetarë të rendit të parë dhe të dytë. Nuk do të ketë humbës. Të gjithë do të jemi fitues në një shoqëri me mundësi të barabarta, respekt të ndërsjellë dhe dinjitet”.

Çairi, sipas tij, do të jetë shembull – shembull që do të tregojë se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është multietnike, ose nuk do të ketë të ardhme fare.