MaqedoniTop Lajme

VLEN: Jemi fituesit e zgjedhjeve lokale dhe subjekti i dytë politik në Maqedoni të Veriut

Shpërndaje

Koalicioni qeveritar VLEN ka vlerësuar procesin zgjedhor lokal të 19 tetorit si të drejtë dhe demokratik, duke theksuar se votimi është zhvilluar pa incidente dhe me një organizim shembullor nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, organet e rendit dhe qeveria aktuale, raporton SHENJA.

Në një konferencë për shtyp, përfaqësuesit e VLEN-it deklaruan se kanë shënuar fitore të qartë në raundin e parë në pesë komuna: Çair, Haraçinë, Saraj, Zhelinë dhe Tearcë. Në raundin e dytë, ata do të garojnë si favoritë në Tetovë, Bogovinë, Dibër, Strugë, Dollneni dhe Bërvenicë. Në Qytetin e Shkupit, sipas tyre, kanë dalë fitues për kryetar dhe këshilltarë.

Megjithëse në Gostivar dhe Vrapçisht nuk është arritur censusi i nevojshëm, VLEN tha se pret vendimin e KSHZ-së për këto dy komuna. Ndërkohë, partneri i tyre AKI ka fituar në Pllasnicë dhe Likovë dhe kalon në raund të dytë në disa komuna të tjera.

VLEN sqaroi se nuk ka marrë pjesë në garën në Komunën e Çashkës, edhe pse kandidati shqiptar ka garuar nën logon e AKI-së. Ata përgëzuan Suat Shaqirin për fitoren atje, duke theksuar se qëllimi ishte të mos rrezikohej fitorja shqiptare.

Duke u bazuar në numrin e komunave të fituara dhe përfaqësimin në balotazh, VLEN e konsideron veten fituesin politik të këtyre zgjedhjeve dhe subjektin e dytë politik në Maqedoninë e Veriut. Sipas tyre, fitorja e Izet Mexhitit në Çair dhe epërsia në Tetovë janë dëshmi të qarta të përqafimit të qytetarëve ndaj ofertës së VLEN-it.

Në fund, përfaqësuesit e koalicionit kërkuan nga drejtuesit e AKI-së që të pranojnë publikisht rezultatin e zgjedhjeve dhe humbjen politike. Ata falënderuan qytetarët për mbështetjen dhe bënë thirrje për reflektim nga opozita shqiptare.