Propozimi i SHBA për OKB: Të vendoset një forcë stabilizuese për dy vite në Gaza
Shtetet e Bashkuara kanë shpërndarë një draft-rezolutë për Këshillin e Sigurimit të OKB-së që do të siguronte një mandat për një forcë ndërkombëtare stabilizuese në Gaza për të paktën dy vjet, duke shënuar hapin e radhës në planin e presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Drafti, i konfirmuar për Associated Press nga dy zyrtarë amerikanë, është një model fillestar për negociata të gjera mes anëtarëve të Këshillit me 15 vende dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.
Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se drafti po diskutohet dhe po ndryshohet.
Vendet arabe dhe të tjera që kanë shprehur interes për të marrë pjesë në forcën stabilizuese kanë treguar se mbështetja e OKB-së për planin është e nevojshme për t’i bindur të kontribuojnë me trupa.
“Ne besojmë se çdo entitet që krijohet në Gaza duhet të ketë legjitimitetin e një mandati nga Këshilli i Sigurimit”, u tha gazetarëve në Doha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Teksti gjithashtu thotë se trupat stabilizuese do të ndihmojnë në sigurimin e zonave kufitare, së bashku me një forcë policore palestineze që ata e kanë trajnuar dhe verifikuar, si dhe do të koordinohen me vende të tjera për të siguruar rrjedhën e ndihmës humanitare.
Drafti po ashtu thekson “rivendosjen e plotë” të ndihmës për Gazën nga Kombet e Bashkuara, Kryqi i Kuq dhe Gjysmëhëna e Kuqe, duke siguruar që furnizimet e nevojshme të mos devijohen.

