MaqedoniTop Lajme

Mickoski: Investime në linjë të re hekurudhore dhe tren qyteti për ajër më të pastër

Shpërndaje

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka theksuar rëndësinë e projekteve të reja infrastrukturore që do të ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe lehtësimin e trafikut në kryeqytet.

Gjatë një deklarate për media, Mickoski falënderoi të gjithë të përfshirët në projektin e ri për zhvillimin e transportit hekurudhor dhe sistemit të trenit urban në Shkup, duke theksuar se këto investime do të kenë ndikim pozitiv në mjedisin jetësor.

“Ky projekt do të ndihmojë në uljen e trafikut dhe, më e rëndësishmja, do të reduktojë ndjeshëm emetimin e grimcave të dëmshme në ajër. Ky është një hap i madh drejt përmirësimit të kushteve ekologjike në kryeqytet,” tha Mickoski.

Ai shtoi se qeveria është e përkushtuar në realizimin e sistemit të ri të transportit publik – BRT (Bus Rapid Transit), i cili përfshin edhe ndërtimin e një ure të re mbi lumin Vardar.

Sipas kryeministrit, këto projekte do të kenë efekt të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit, pasi do të ndihmojnë në uljen e ndotjes që shkaktohet nga automjetet.

“Kur të përfundojnë të gjitha këto projekte, jam i bindur se do të kemi ajër më të pastër dhe një qytet më të gjelbër. I ftoj qytetarët që, sapo të vihet në funksion sistemi, ta përdorin për të përfituar të gjithë nga kjo nismë,” përfundoi Mickoski.