Nënkryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, deputeti, Glauk Konjufca voton dhe bën thirrje që qytetarët të dalin në zgjedhje
Më vjen mirë që sot është edhe moti i mirë, po mban mot i mirë dhe i ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që ta shfrytëzojnë në të gjitha komunat ku po mbahet raundi i balotazhit për zgjedhjet lokale, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë që të bëhen bashkëpjesëmarrës në ndërtimin e demokracisë, sepse siç e dimë, demokracia është e pamundshme pa një pjesëmarrje të madhe qytetare.
Deri më tash sa e kam përcjellë këtë proces zgjedhor, gjithçka ka shkuar mirë. Unë uroj që edhe kështu të përmbyllet ky proces zgjedhor. Uroj që të mos kemi asnjë problem, asnjë incident gjatë këtyre zgjedhjeve, e kjo më së miri i bën Kosovës, sepse Kosova vazhdimisht ka shkuar duke i ngritë standardet e demokracisë, të qytetarisë, dhe kjo do të ishte një rezultat shumë i mirë për vendin tonë.
Sa i përket kryetarëve, kandidatëve për kryetar të cilët po garojnë, unë uroj që të fitojnë më të mirët ashtu siç janë në sytë e qytetarëve, qysh ata i vlerësojnë se cilët janë më të mirët.
Ju uroj gjithë të mirat dhe i lus qytetarët e Kosovës vërtetë që në masë sa më të madhe të dalin dhe ta shfrytëzojnë këtë të drejtë qytetare.

