Trump spërkat me parfum dhe vë në siklet homologun sirian Ahmed al-Sharaa: Sa gra ke?
Një gjest i papritur nga presidenti amerikan, Donald Trump, befasoi homologun e tij sirian, Ahmed Al Sharaa, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë.
Gjatë bisedës kokë më kokë të hënën më 10 nëntor, Trump i dhuroi Al Sharaa-s parfum-in e tij personal me emrin “Victory 45-47”, të prezantuar verën e kaluar si referencë për dy mandatet e tij presidenciale.
Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale, presidenti amerikan shihet duke spërkatur fillimisht veten me parfum dhe më pas homologun sirian dhe anëtarët e delegacionit të tij.
Trump përfundoi gjestin duke i dhuruar Al Sharaa-s një shishe tjetër, versionin femëror të të njëjtit parfum, të cilin tha se e kishte për gruan e presidentit të Sirisë.
“Është parfumi më i mirë! Dhe tjetri është për gruan tënde”, i tha ai. Por Trump e pyeti menjëherë: “Sa gra ke?” -“Një”-, u përgjigj presidenti sirian, duke nxitur komentin e Trump: “Një? Me djem si ty, nuk i dihet kurrë!”

