Afrim Gashi: Zgjedhjet e ripërsëritura më 11 janar në Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë–Rostushë dhe Qendër Zhupë
“Në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot nënshkrova aktvendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të përsëritura për kryetarët e komunave të Gostivarit, Vrapçishtit, Mavrovës dhe Rostushës, si dhe të Qendrës Zhupë. Zgjedhjet do të mbahen më 11 janar 2026, në përputhje me Kushtetutën, Kodin Zgjedhor dhe legjislacionin përkatës.
Me hyrjen në fuqi të këtij aktvendimi, institucionet përgjegjëse nisin zbatimin e afateve dhe procedurave ligjore. U bëj thirrje Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, komisioneve komunale, si dhe organizatave mbikëqyrëse të veprojnë me përpikëri, transparencë dhe profesionalizëm.
I ftoj të gjitha subjektet politike dhe kandidatët pjesmarrës në këtë proces, të zhvillojnë një proces të qetë, fer dhe demokratik, në respektim të standardeve zgjedhore dhe vlerave europiane.
Po ashtu, u drejtohem qytetarëve të këtyre komunave që të ushtrojnë të drejtën e tyre dhe të marrin pjesë masivisht në votim. Përsëritja e zgjedhjeve dëshmon rëndësinë e pjesëmarrjes së secilit qytetar në vendimmarrjen lokale dhe forcimin e legjitimitetit institucional.
Kuvendi mbetet i përkushtuar ndaj proceseve të rregullta demokratike dhe konsolidimit të institucioneve të vendit” Afrim Gashi kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

