Vjosa Osmani mandatoi Glauk Konjufcën për formimin e ekzekutivit! Të mërkurën mbahet seanca për Qeverinë e re të Kosovës
Të mërkurën e 19 nëntorit është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës. Ajo do të nisë në orën 14:00.
Ndërkaq, në orën 11:00 është thirrur një seancë tjetër me disa pika të rendit të ditës, sikurse janë formimi i komisioneve parlamentare, më pas shqyrtimi i parë i projektligjit për ndarjet buxhetore, miratimi i buxhetit për tri komuna të Kosovës (Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok), çështja e financimit të Radio Televizionit të Kosovës dhe ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.
Reagime për seancën e parë
Deputetja Mimoza Kusari-Lila tha se LVV-ja dorëzoi kërkesën për seancën e parë me nëntë pika të rendit të ditës që përfshijnë disa marrëveshje ndërkombëtare, duke kërkuar mbështetjen e të gjitha partive, pasi argumentoi se ato “nuk i takojnë asnjë partie apo qeverie, ato janë në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim”.
“Për realizimin e kësaj agjende, është i domosdoshëm formimi i katër komisioneve të përhershme parlamentare, të cilat mund të formohen pavarësisht se kush është në pozitë apo opozitë, sepse numri i anëtarëve varet nga pesha e grupit parlamentar në Kuvend, nga gjithsej 11 anëtarë sa duhet të jenë”, shkroi ajo në Facebook.
Pas njoftimit për dy seancat, Lidhja Demokratike e Kosovës tha se nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00, duke argumentuar se aty përfshihen marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore që kërkojnë proces “serioz e konsultim”.
“LDK nuk merr pjesë në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate”, tha kjo parti përmes një njoftimi, duke shtuar se do të marrë pjesë vetëm në seancën për Qeverinë e re.
Kjo parti akuzoi LVV-në se po tenton “të përdorë institucionet e Republikës si instrument të lojërave të saj politike”.
“Prej tetë muajsh, vendi mbahet në pasiguri politike nga të njëjtët që sot paraqesin si urgjencë atë që vetë e kanë zvarritur. E njëjta logjikë u pa edhe me zvarritjen 15-ditore të mandatarit pa numra, një proces i humbur që nga fillimi dhe i përdorur vetëm për propagandë”, u tha në njoftim.
Në fund të tetorit, kryeparlamentari Dimal Basha, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, kishte deklaruar se nuk kishte gjetur mirëkuptim për formimin e komisioneve parlamentare, me qëllim që të shtyhen përpara si çështja e buxhetit të Kosovës, ajo për RTK-në, por edhe marrëveshjet ndërkombëtare.
Basha e pranoi se pa votimin e Qeverisë së re të Kosovës nuk dihet se kush është në pushtet dhe opozitë dhe për rrjedhojë nuk dihet se sa komisione do t’i takonin partive.
Pas kësaj mbledhjeje, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, tha se potentohet të “simulohet demokracia duke shkelur Kushtetutën”.
Seanca për Qeverinë e Kosovës
Seanca për Qeverinë mbahet në ditën e fundit të mandatit kushtetues, pasi presidentja Vjosa Osmani, mandatoi më 4 nëntor Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje për formimin e ekzekutivit të ri.
Sipas praktikave, Konjufca pritet të paraqesë një ekspoze para 120 deputetëve dhe të prezantojë kabinetin e ri qeverisës, për votimin e të cilit kërkohen të paktën 61 vota.
Pas propozimit si mandatar nga LVV-ja, Konjufca tha se dëshiron bashkëpunim me partitë parlamentare, por jo edhe ndonjë marrëveshje koalicioni.
Ai tha se kërkon mbështetjen e deputetëve për Qeverinë e tij, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet parlamentare në dhjetor dhe që vendi të ketë ekzekutiv “së paku” deri në prill, kur duhet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.
Ndërkaq, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk sheh as “mundësi teorike” që të arrihet një koalicion me partitë e tjera shqiptare, të cilat, sipas tij, kanë “ndërtuar një urrejtje hibride ndaj meje”.
Gjatë propozimit të Konjufcës për mandatar, Kurti tha se ai do të marrë postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe Diasporës – post, që Kurti e kishte propozuar Konjufcën në ekzekutivin e propozuar më 26 tetor. Atëkohë, Kurti dështoi të siguronte 61 votat e nevojshme të deputetëve.
Kurti ishte mandatuar më 11 tetor nga Osmani për të formuar ekzekutivin e ri.
Mandatari i parë për kryeministër, sipas Kushtetutës i takon partisë së parë.
Pas dekretimit të Konjufcës, Osmani tha se partitë e tjera të mëdha shqiptare nuk kishin emër për mandatar, duke shtuar se në Kushtetutë thuhet se nëse ka emër të propozuar për mandatarin e dytë, presidentja duhet ta emërojë atë, e nuk ka hapësirë që të refuzojë emërimin e tij.
LVV-ja i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t’i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pesë dhe tre deputetë ka Nisma Socialdemokrate, që në zgjedhje garoi në listë të përbashkët me AAK-në.
Lista Serbe ka nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për minoritetin serb, një e ka partia e Nenad Rashiqit dhe dhjetë ulëse të tjera i kanë fituar përfaqësuesit e minoriteteve të tjera./rel/

