RajoniTop Lajme

Faton Peci falënderon qytetarët: Tani fillon puna e vërtetë

Shpërndaje

Pas një procesi zgjedhor të zhvilluar me qetësi dhe pjesëmarrje të gjerë qytetare, kandidati Faton Peci ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë ndaj qytetarëve të Mitrovicës për besimin e dhënë.

Në fjalimin e tij, ai ka theksuar rëndësinë e bashkimit, përgjegjësisë dhe vizionit të përbashkët për të ardhmen e qytetit, duke theksuar se suksesi i vërtetë është fitorja e qytetarëve dhe e shpresës për ndryshim. Më poshtë gjeni fjalën e tij të plotë drejtuar qytetarëve pas procesit zgjedhor:
Të dashur qytetarë,
Dua edhe një herë t’ju falënderoj me zemër plot mirënjohje që më keni dhënë besimin dhe nderin më të madh të jetës sime.
Sot edhe një herë u dëshmua se procesi ishte i rregullt, andaj 18,235 herë faleminderit.
Ky besim për mua nuk është vetëm nder, por edhe një përgjegjësi e thellë ndaj secilit prej jush.
Faleminderit të gjithë qytetarëve që morët pjesë në këtë proces demokratik, pavarësisht bindjeve tuaja politike.
Sot nuk fiton një individ, por fiton qyteti ynë. Fiton ideja se ndryshimi është i mundur kur qytetarët bashkohen për një qëllim të përbashkët.
Faleminderit ekipit tim që besoi në mua, miqve që gjithmonë më qëndruan afër, familjes sime, partisë Guxo, Lëvizjes VETËVENDOSJE, kryeministrit Kurti dhe të gjithë atyre që më mbështetën gjatë kësaj rruge. Pa përkrahjen tuaj, ky moment nuk do të ishte i mundur.
Tani fillon puna e vërtetë puna për qytetin tonë.
Besimin e kam marrë si njeri i punës, dhe kjo është ajo që i duhet më shumë Mitrovicës.
Mitrovica është qytet i veçantë, me rol të veçantë në historinë tonë kombëtare, në zhvillimin ekonomik, në kulturën dhe sportin e Kosovës.
Do të jem kryetar i të gjithëve, pa dallim.
Do të dëgjoj çdonjërin dhe do të punoj me secilin që ka vizion dhe dëshirë për ta bërë Mitrovicën një vend më të mirë për të jetuar, punuar dhe ëndërruar.
Ky qytet ka energji, ka potencial, ka njerëz të jashtëzakonshëm. Detyra ime është t’i bashkoj këto, t’u jap drejtim dhe t’i kthej në zhvillim të vërtetë.
Mitrovica është qyteti i minatorëve, atyre që i dhanë shumë Kosovës. Çdo ditë e tyre fillon me urimin “Me fat”, dhe le të jetë pikërisht fati që do ta shoqërojë punën tonë të përbashkët për qytetin.
Le ta ndërtojmë Mitrovicën me zemër, me përkushtim dhe me dinjitet.
Zoti e bekoftë Mitrovicën!